Kosovë, qeveria përgatitet për 2.3 mld euro borxh për investime

06/06/2016 00:00

Qeveria e Kosovës do të marrë borxh 2.3 miliardë euro brenda tri viteve të ardhshme, ndërsa me këto parà parashikohet realizimi i 39 projekteve kryesisht infrastrukturore.

Ndërtimi i autostradës së re Prishtinë-Gjilan dhe rehabilitimi i linjës hekurudhore nga kufiri me Serbinë deri në Prizren, janë dy nga projektet më të kushtueshme që do të financohen me kredi, shkruan “Gazeta Fjala”, duke cituar vendimin e Këshillit Kombëtar për Investime.

Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se, tashmë kanë rënë dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar për rreth 450 milionë euro investime, që duhet të ndodhin përmes klauzolës së investimeve.

“Këto janë projekte, një pjesë e konsiderueshme në infrastrukturë, që do të financohen përmes kredive nga bankat zhvillimore. Për hekurudhat e kemi finalizuar marrëveshjen, konkretisht për hekurudhën nga Hani i Elezit deri në Leshak, që është një projekt me kosto 195 milionë euro, për të cilin 80 milionë euro i kemi kredi. Kemi nënshkruar një marrëveshje tjetër prej 29 milionë eurosh për disa rrugë rajonale në Kosovë. Jemi duke i negociuar dy projekte të rëndësishme në sistemin e ujitjes”, ka thënë Hoti.

Ai vlerëson se këto projekte do të ndikojnë në zhvillim ekonomik, pavarësisht se drejtpërdrejt nuk gjenerojnë kthim në investime. “Janë disa projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillim ekonomik sepse krijojnë vende pune. Projektet në ujitje mund ta dyfishojnë prodhimin bujqësor në vend”, pohon Hoti, duke arsyetuar nevojën për investime në këto fusha.

Aktualisht Kosova ka rreth 800 milionë euro borxh publik, i cili është krijuar nga huatë që Qeveria e vendit ka marrë për projekte të ndryshme.

Top Channel