“Gladiatorët” bëjnë pushim; Bushati e Kotzias në Durrës

06/06/2016 00:00

Historia në shumë raste është mollë sherri mes kombeve, e kur bëhet fjale për Ballkanin, ajo shndërrohet në fuçi baruti. Ministri Ditmir Bushati ka zgjedhur pikërisht historinë e qytetit të lashtë ilir të Epidamnit apo qytetin e mëvonshëm helen të Dyrrahut dhe mbetjet arkeologjike te tij, për të vijuar bisedën, jo-diplomatike me homologun e tij grek Nikos Kotzias.

Nën hijen e rëndë të statujave të Durrësit antik, Bushati e ka njohur homologun e tij me historinë e vjetër të këtij qyteti ilir, i cili nga historianët e shtetit fqinj, njihet si qytet grek.

Por diplomatët këtë herë nuk janë përfshirë në debate historike dhe i kane dhënë një tjetër dimension vizitës së tyre, duke u zhveshur nga kostumet e diplomacisë dhe duke pare historinë në sy, për atë që ajo është.

Vizita e Kotzias në Durrësin antik është mbyllur në Amfiteatrin e Durrësit, ose siç njihet nga arkeologet si skena e gladiatorëve. Po kësaj radhe duket tigrat dhe armët ishin lënë pushim. Gladiatorët kanë zgjedhur kësaj radhe një arme të luksit, buzëqeshjen.

Ndërkohë në mbrëmje në fund të ditës së parë të vizitës në Shqipëri, ministri i Jashtëm i Greqisë u takua edhe me kryepeshkopin e Kishës Ortodokse, Anastas.

Top Channel