Haki Çako, takime me drejtues të NYPD

05/06/2016 00:00

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pati disa takime të rëndësishme me drejtues të lartë të disa agjensive ligjzbatuese.

Fillimisht, në Departamentin e Policisë së New York (NYPD), Çako u prit në takim nga Drejtori i Policisë për New York City, James P. O’Neill NYPD. O’ Neill e përgëzoi Çakon për rezultatet e policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit. Ndërkohë, Çako vlerësoi ndihmën dhe përkrahjen e ShBA-së si partner i rëndësishëm për policinë tonë. O’Neill dhe Çako vlerësuan rolin e komunitetit shqiptar të punonjësve të policisë të NYPD, përfaqësuar nga Shoqata Illyrian, si ura të bashkëpunimit mes dy policive.

Më pas, Haki Çako u prit në takim nga Drejtori i Inteligjencës i New York City, Thomas P. Galati (njëherazi edhe drejtor për Krimin e Organizuar e Terrorizmin). Galati dhe Çako biseduan për çështjet e terrorizmit që shqetësojnë dy agjencitë, rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve në këtë fushë. Galati-Çako vlerësuan lart marrëveshjen e bashkëpunimit për shkëmbimin e informacionit në luftën kundër terrorizmit të firmosur nga ministri Saimir Tahiri dhe drejtori i FBI-së, si dhe portokollin operacional të firmosur nga Drejtori i Policisë së Shtetit dhe Drejtuesit e Antiterrorit. Galati e falënderoi Çakon për punën e mrekullueshme dhe bashkëpunimin e shkëlqyer, në një rast të përbashkët hetimi për terrorizëm. Në këtë hetim u përfshinë FBI-ja, policia jonë dhe Drejtoria e Inteligjencës së NYPD. Çako theksoi se “ne jemi të interesuar të përvetësojmë dhe të aplikojmë format dhe metodat me të mira të policisë amerikane për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin”. Drejtori i Inteligjencës Thomas P. Galati i ofroi Drejtorit të Policisë së Shtetit mbështetje për strukturat antiterror dhe të krimit të Organizuar të policisë shqiptare.

Gjithashtu, me drejtues të Departamentit të Policisë së New York u diskutua për mundësitë e trajnimeve dhe specializimeve të oficerëve të policisë shqiptare në Akademinë e Policisë në New York.

Më pas, delegacioni shqiptar vizitoi sallën e komandimit dhe monitorimit të emergjencave të Policisë në New York City.

Gjithashtu, gjatë punimeve të Samitit të Shefave të Policisë së Kombeve të Bashkuara që u mbajt në New York, Haki Çako u takua me përfaqësues të policive të shteteve të ndryshme. Një takim me fokus luftën kundër krimit të organizuar e veçanërisht trafikut të qënieve njerëzore u zhvillua me drejtorin e Policisë së Holandës, Harry van den Brink. Të dy drejtuesit diskutuan për krizen e emigrantëve dhe masat respektive të marra. U shtrua si domosdoshmëri rritja e bashkëpunimit dhe hetimeve të përbashkëta veçanërisht në fushën e trafikut të qenieve njerëzore.

Top Channel