“Euro 2016”, shqetësim për biletat false. UEFA: Tifozët të mos bien prè e mashtrimeve

05/06/2016 00:00

Portale dhe agjenci ilegale po shesin në mënyrë të vazhdueshme bileta për “Euro 2016”, por nëse tifozët do të bien viktimë e tyre, nuk do të mund të shikojnë ndeshjet e turneut të kësaj vere.

Autoritetet franceze kanë ngritur shqetësimin e biletave false në treg, pas një hetimi të një grupi investigues, që kanë dalë në konkluzionin se bileta të veçanta kanë arritur deri në 5 mijë paund secila.

Të gjithë mbështetësve të kombëtareve finaliste dhe turistëve të shumtë, duke përfshirë dhe ata shqiptarë, do t’u kërkohet një mjet identifikimi për t’u futur në stadium, apo në zonat pranë hyrjes së impianteve.

“Asnjë sasi biletash për individë apo grupime nuk po shitet përmes agjencive apo ndërmjetësuesve. Ne inkurajojmë tifozët të mos bien prè e mashtrimeve, por të konsultohen me portalin zyrtar të rishitjes, pasi në të kundërt jo vetëm që paguajnë shumëfish biletën, por shpeshherë nuk munden të futen për të parë ndeshjen”, tha një burim pranë UEFA-s.

Mbi 3 mijë raste mashtrimesh me biletat u raportuan këtë vit vetëm në Britaninë e Madhe. Kërkesat e shumta për një vend në stadiumet e “Euro 2016” kanë sjellë ankande të vërteta, sidomos në “E-Bay” dhe rrjetet sociale, aty ku çmimet e biletave shpesh janë 10-fish nga vlera zyrtare.

Top Channel