Është ndarë nga jeta në moshën 74-vjeçare legjenda e boksit, Muhammad Ali. Ish-kampioni i peshave të rënda në boks, ndërroi jetë në një spital të Arizonas ku ishte shtruar ditën e enjten.
Ai vuante prej kohësh nga një sëmundje në mushkëri, sëmundje që iu përshkallëzua edhe nga Parkinsoni.
Familja e tij njoftoi se funerali do të mbahet në vendlindjen e tij, Louisville, në Kentaki.
Lindur me emrin Cassius Marcellus Clay më 17 janar të vitit 1942, Ali u bë i famshëm pas fitores së medaljes së artë në Olimpiadën e Romës në vitin 1960.
I cilësuar si “më i madhi”, boksieri amerikan mposhti Sonny Liston në vitin 1964, vetëm 22 vjeç, duke fituar titullin e parë kampion bote për pesha të rënda, titull që do ta mbronte deri në vitin 1967.
Në këtë vit kundërshton luftën në Vietnam dhe refuzon t’i bashkohet ushtrisë amerikane, një vendim që do të pasonte heqjen e titullit si Kampion Bote dhe heqjen e licences së boksierit, që do të zgjaste për 4 vite.
Pas përfundimit të pezullimit, në vitin 1971 rikthehet me tre ndeshje ikonë të boksit botëror, ndeshje që e ndihmuan në rivendosjen në vend të imazhit të tij në publik, i kritikuar për refuzimin e luftës.
Ndeshja e parë pas pezullimit sjell edhe humbjen e parë. Më 8 mars 1971 Ali përballet me Joe Frazier në “Duelin e Shekullit”. Ishte hera e parë që në ring ngjiteshin dy boksierë që nuk kishin asnjë humbje.
E në këtë ndeshje njëri duhej të humbte dhe ai ishte Mohamed Ali, që dorëzoi titullin tek Joe Frazier. Në vitin 1974 rimerr trofeun duke mposhtur George Foreman, në duelin “Rumble in the Jungle”, i zhvilluar në Kinshasa, Zairenë e asaj kohe, sot Republika Demokratike e Kongos.
Më 1975 i duhet të mbrojë titullin sërish kundër Fraziers në Filipine. Joe nuk ia doli që të ngjitet në ring në raundin e fundit.
Gjashtë herë e mbrojti titullin para se të humbiste me pikë ndaj Leon Spinks në vitin 1978 dhe po këtë vit t’ia rimerrte sërish Spinksit.
Mbylli karrierën me dy humbje, ndaj Larry Holmes në vitin 1980 dhe Trevor Berbick në vitin 1981, në total 56 fitore, (37 me knock out dhe 19 me pikë) dhe 5 humbjeve (4 me pikë dhe 1 i tërhequr).
Shumë besonin se duhej të tërhiqej më herët, por edhe tërheqja në 1981 la pas një boshllëk në sportin e boksit, boshllëk që do të mbushej disi me shfaqjen e Mike Tyson në mesin e viteve ’80.
Në vitin 1984, Ali u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonin, sëmundje që e shoqëroi deri në frymën e fundit.
Sports Illustrated e ka kurorëzuar si “Sportistin e Shekullit” e po ashtu edhe BBC si “Personaliteti Sportiv i Shekullit” në vitin 1999.
Përveç suksesit në boks, Ali do të mbahet mend edhe si një aktivist për të drejtat e njeriut dhe poet që tejkalonte kufijtë e sportit, racës dhe kombësisë.
“Si një njeri që nuk shiti kurrë njerëzit e tij, por nëse kjo është shumë, atëherë thjesht si boksier”, do të deklaronte ai pas pyetjes sesi kishte dëshirë që të mbahej mend.
Kur ishte 22-vjeç iu bashkua organizatës “Kombi i Islamit”, një organizatë që synonte përmirësimin e kushteve ekonomike e sociale për afrikano-amerikanët në Shtetet e Bashkuara.
Pak më vonë, duke u shprehur se emri që i kishin dhënë në lindje, Cassius Marcellus Clay, ishte një emër skllavi, vendosi ta ndryshojë në Cassius X, e më vonë në Muhammad Ali, duke u konvertuar edhe në islam.
Top Channel