Panairi i Midhjes në Ksamil, prodhimi rritet por “Butrinti” ende nën bllokadë

04/06/2016 00:00

Në Ksamil është hapur Panairi i Midhjes, ku prodhues e kuzhinierë të ndryshëm kanë promovuar produktet e tyre.

Të paktën 30 restorante dhe një numër kultivuesish midhjesh janë prezantuar në panair me produkt qendror midhjen e Butrintit.

Ato u ofruan të gatuara në dhjetëra forma për vizitorët pranë hyrjes së plazhit më të madh të Ksamilit. Prodhuesit janë të kënaqur me cilësinë dhe sasinë e produktit këtë vit ndërsa sfida e mungesës së tregut vazhdon të jetë prezente.

“Nga ngordhjet që kemi pasur vitin e kaluar, këtë vit nuk kishin shumë prodhim”, shprehet një prej kultivuesve.

“Janë shumë të mira, me një çmim shumë të arsyeshëm. I mirëpresim të gjithë turistët me respekt dhe dashuri”, shprehet një tjetër.

Liqeni i Butrintit me sipërfaqe rreth 1600 ha numëron aktualisht rreth 80 impiante midhjesh prej të cilave gati 72 janë eficentë. Midhja e Butrintit është duke jetuar një bllokadë 25-vjeçare të tregut europian për shkak të pretendimeve mbi kriteret e mbarështimit. I pranishëm në panair, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, njoftoi se po bëhen përpjekje që produkti  të arrijë të standardizohet brenda këtij viti.

“Ky është një produkt shumë i kërkuar dhe shumë cilësorë. Këtë nuk e them unë, por e thonë të gjithë turistët. Midhja e Sarandës është unikale pasi rritet në një mjedis unikal, në lagunën e Butrintit”, shprehet ministri Panariti.

Laguna e Butrintit prodhon deri ne 17 mijë kv midhje ne vit ku 70 % e saj shkon në tregun vendas.

Top Channel