Venezuelë, protestuesit duke qarë: Duam bukë! S’ka bukë!

03/06/2016 00:00

Forcat venezueliane të sigurisë kanë hedhur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, të cilët thërrisnin në kor “Duam bukë!” pranë pallatit presidencial në Karakas gjatë së enjtes, në atë që shënon protestën e fundit të dhunshme në rrugët e vendit anëtar të OPEC-ut, të goditur nga kriza.

Qindra venezuelianë të uritur u drejtuan për nga pallati “Miraflores” në qendër të Karakasit, por u përballën me trupa të Gardës Kombëtare dhe policinë, të cilët bllokuan rrugën kryesore.

Presidenti Nicolas Maduro, i cili ndodhet nën një presion gjithnjë e në rritje për shkak të përkeqësimit të krizës ekonomike në vendin amerikano-latin të mbi 30 milionë banorëve, në të njëjtën kohë kishte programuar t’u adresohej në një miting grupeve indigjene.

Protestat shkaktuan radhë të gjata nëpër dyqanet përreth zonës, sipas dëshmitarëve, pasi disa persona u përpoqën të përmbysnin një kamion që transportonte bukë. “Jam këtu prej orës 8 të mëngjesit. Nuk ka më bukë nëpër dyqane dhe markete”, tha një grua venezueliane për median opozitare “Vivoplay”. “Jemi të uritur dhe të lodhur”.

Qeveria akuzon politikanët opozitarë se po nxisin kaos në vend, ndërsa thanë se forcat e sigurisë gjithsesi e kishin situatën nën kontroll.

Pavarësisht se vendi ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, venezuelianët vuajnë prej një kohe të gjatë nga mungesa e ushqimeve të shportës bazë, duke nisur nga qumështi e deri te mielli, nga rritja e çmimeve dhe nga probleme tepër të rënda ekonomike.

Maduro fajëson rënien e çmimit ndërkombëtar të naftës dhe një “luftë ekonomike” që po zhvillojnë armiqtë e tij, të cilët i akuzon gjithashtu edhe për përpjekje për një “grusht shteti” ndaj tij.

“Çdo ditë, ata po nxisin grupe të dhunshme që kërkojnë të përhapin kaos nëpër rrugë”, tha ai në fjalimin e mbajtur në mitingun e indigjenëve, që u zhvillua pranë “Mirafloresit” vetëm pak më vonë gjatë ditës së djeshme. “Ndërkohë që çdo ditë njerëzit tanë po i refuzojnë ata dhe i përjashtojnë”.

Kritikët, ndërkohë, thonë se kaosi ekonomik i Venezuelës është pasojë e politikave të dështuara socialiste përgjatë 17 viteve të fundit, sidomos sa i përket çmimeve dhe kontrollit monetar.

Top Channel