FIFA për Infantinon: Nuk e rrezikon pezullimin

03/06/2016 14:30

Gianni Infantino nuk rrezikon të pezullohet. Kjo është kundërpërgjigjja e FIFA-s ndaj një lajmi të publikuar në median gjermane për mundësinë që presidenti i FIFA-s të qëndrojë jashtë aktiviteteve për 90 ditë për shkak të thyerjes së disa rregullave të Kodit Etik.

“Nuk jemi në pozita që të themi nëse kemi nisur apo jo hetime ndaj një individi. Ajo që duam të bëjmë të ditur është se nuk është ndërmarrë asnjë proces i tillë kundrejt Infantinos”, theksohej në një komunikatë të Komitetit të Etikës së FIFA-s.

Sipas asaj që publikohej në median gjermane, Infantino nëpërmjet disa e mail-eve kishte urdhëruar zyrtarë të FIFA-s që të fshijnë regjistrimet e një takimi të Këshillit të FIFA-s, përpara mbajtjes së Kongresit të mbajtur muajin e kaluar në Mexico City. Ndërsa një e përditshme zvicerane publikoi kopjet e këtyre email-eve për të cilat u fol në Gjermani.

FIFA deklaroi se një prej këtyre regjistrimeve u fshi pasi u ruajt në mënyrë të gabuar duke shtuar se versioni origjinal i tij ekziston në arkivat e saj.

Top Channel