De Biasi: Është një makth se si i pësojmë golat

03/06/2016 00:00

Trajneri i kombëtares, Ganni de Biasi, nuk është aspak i kënaqur me mënyrën si i kemi pësuar golat ndaj Ukrainës, duke thënë se kjo ndeshje ishte vërtet miqësore, por gabimet në mbrojtje janë shumë serioze.

“Ishte një ndeshje e mirë në pjesën e parë, por pjesa e dytë nuk ishte një lojë të mirë. Është një makth se si i pësojmë golat. Më vjen shumë keq pasi luajtëm shumë mirë në pjesën e parë kurse në të dytën gabojmë në ato gjëra që kemi punuar gjatë gjithë javës . E kuptoj që këto janë gabime që mund të na kushtojnë shumë, por do të punojmë akoma më shumë në këto ditë që kemi për t’u përmirësuar për ndeshjen e debutimit ne Europian. Vërtet në miqësore nuk ka rëndësi rezultati se na duhet të provojmë por mënyra se si humbëm ndeshjen është vërtet shqetësuese”, u shpreh De Biasi.

Rreth 12 mijë tifozë shqiptarë ishin të pranishëm në stadiumin në Bergamo, të cilët mbështeten kombëtaren shqiptare për 90 minuta dhe kjo padyshim që e bën të lumtur teknikun italian.

“Tifozët kanë qenë gjithmonë në maksimum dhe na dhanë një mbështetje shumë të mirë. Më vjen keq që nuk ua shpërblyem. Shpresojmë që në ndeshjen me Zvicrën të bëjmë një paraqitje të mirë”, vijoi italiani.

Një tjetër shqetësim në këtë ndeshje ishte edhe dëmtimi i Canës dhe De Biasi njoftoi për më të rejat e fundit. “Cana nuk është në 100% të formës fizike dhe kjo është shqetësuese për ne. Do të kemi mundësi këto ditë të rikuperojmë formën fizike të tij. Goditja që mori nuk është asgjë e veçantë dhe nuk ka probleme.”, u shpreh De Biasi.

Trajneri u pyet edhe për sulmuesin më në formë të kombëtares Armando Sadikun, i cili shënoi golin e dytë radhazi me kombëtaren. “Sadiku luajti shumë mirë kundër Katarit dhe akoma më mirë ndaj Ukrainës. Kush e meriton do të luajë”, e mbylli De Biasi.

Top Channel