Ballkani “mësyn” në Tiranë

03/06/2016 00:00

Tirana do të shndërrohet për tre ditë në kryeqendrën e prodhimeve bujqësore autoktone të Ballkanit. Rreth 400 prodhues të vegjël nga 12 shtete po ekspozojnë trashëgiminë e tyre ushqimore në stendat e vendosura në sheshin “Nënë Tereza”.

Shqipëria përfaqësohet nga djathi Mishavinë i Kelmendit, Glikoja e Përmetit dhe shumë produkte të tjera.

“Kemi reçel me boronicë, dardhë, qershi, mjedër e lloje të tjera, pastaj kemi bimë medicinale e të tjera”, tregon njëra prej pjesëmarrësve nga zona e Pukës.

“Këto janë vezë Faraoni dhe ato janë shumë të shëndetshme”, tha një tjetër pjesëmarrës.

“Shqipëria duhet të jetë krenare për produktet e saj dhe punën që miliona shqiptarë kanë bërë në shekuj për të na lënë këtë trashëgimi të çmuar. Të forcojmë mesazhin: ‘Të hamë shqip’. Turistëve u them, të vish në Shqipëri dhe të mos ndjesh shijen e kësaj toke është e kotë, sepse shijet janë dije, kështu mund të mësojnë më shumë se vetëm duke vizituar rrugë dhe monumente, sepse prodhimet shqiptare janë monumentet e vërteta”, deklaroi Carlo Petrini, president i “Slow Food”.

Për të shpëtuar produktet tradicionale nga të rrëmbyerit e ushqimit të shpejtë, organizata “Slow Food” ka ngritur atë që e quan arka e shijes ku regjistron prodhimet autoktone të vendeve të ndryshme e ku Shqipëria ka deri tani 44 produkte gjithsej.

Top Channel