Auditi i KLSH: 3.2 mld lekë dëm buxhetit në 4 muaj

03/06/2016 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit raportoi se administrata publike u shkaktoi taksapaguesve 3.2 miliardë lekë ose 26 milionë dollarë dëme në katër muajt e parë të vitit. Buletini i sapopublikuar i Auditit përfshin periudhën janar-prill të këtij viti.

KLSH thotë se pjesa më e madhe e këtij dëmi, rreth 1.9 miliardë lekësh vjen nga mosarkëtimi korrekt i të ardhurave që duhet të shkonin në arkën publike, ose nga abuzimi me shpenzimet e kryera nga administrata, ndërsa pjesa e mbetur lidhet me shkelje të disiplinës financiare, të cilat kanë patur ndikimin negativ në performancën financiare të institucioneve të audituara.

I ndarë sipas fushave, pjesa më e madhe e dëmit prej 877 milionë lekë vjen nga abuzimet në fushën e prokurimeve dhe institucioni me abuzimet më të mëdha është Autoriteti Rrugor Shqiptar. Sipas KLSH në katër muajt e parë të vitit pranë këtij autoriteti, janë konstatuar mbi 600 milionë lekë dëme ndaj buxhetit. 

Në vend të dytë, ndër fushat me abuzimet më të mëdha renditet ajo e tatim-taksave me 461 milionë lekë dhe në vendin e tretë renditen doganat me rreth 364 milionë lekë.

KLSH thotë se për këto dëmë ka kryer kallëzim penal ndaj 7 zyrtarëve, prej të cilëve 5 janë aktualisht në hetim, ndërsa dy të tjera janë në vlerësim nga prokuroria.  Organi kryesor i Auditit njofton se paralelisht ka kërkuar zhdëmimin e dëmit të shkaktuar në masën 1.7 miliardë lekë.

Top Channel