Trump në Britani, një ditë pas referendumit

02/06/2016 11:05

Donald Trump do të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar më 24 qershor, ditën kur do të publikohen rezultatet e referendumit historik, në të cilin britanikët do të votojnë nëse duan të qëndrojnë në Bashkimin Evropian apo jo. Zëdhënësi i Trump tha se miliarderi njujorkez do të jetë në Skoci për të vizituar dhe inauguruar resortin e golfit Turnberry, një pronë që ai bleu në vitin 2014 dhe ku ka investuar miliona.

Megjithëse nga zyra e Trump theksohet se vizita e tij në Mbretërinë e Bashkuar është thellësisht çështje biznesi, nuk ka dyshim se koha e zgjedhur është shumë domethënëse. Më 23 qershor britanikët do të votojnë në referendum dhe Trump do të jetë atje vetëm një ditë më pas, pikërisht ditën e lajmërimit të rezultatit zyrtar. Zyrtarë britanikë thanë se nuk ka asnjë plan që Trump të takohet me kryeministrin britanik David Cameron, pa llogaritur faktin që ky i fundit do të jetë tejet i zënë atë ditë.

Edhe nga zyra e Trump ngulin këmbë për të njëjtën gjë, pasi thonë se miliarderi nuk ka asnjë qëllim që të përfshihet në diçka që i takon britanikëve ta vendosin. Megjithatë, gjatë javëve të fundit Trump është shprehur në media se mbështet largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Duke theksuar disa herë se ky është mendimi i tij personal dhe se nuk po bën fushatë për askënd, Trump tha se nuk beson që largimi nga BE-ja do të ndikojë negativisht tek Mbretëria e Bashkuar.

Por përzgjedhja e kohës së vizitës së Trump sigurisht që ka shkaktuar një lumë spekulimesh dhe një pjesë e analistëve mendojnë se udhëtimi i tij në Britani pasi referendumi të jetë bërë, nuk shërben më si mbështetje për njërën palë apo palën tjetër.

Top Channel