NBA, Cleveland-Golden State ose finalja e James dhe Curry

02/06/2016 12:50

Cleveland Cavaliers dhe Golden State Warriors tashmë kanë nisur përgatitjet e tyre për betejën që do të zhvillojnë në finalen e madhe të NBA, një përballje kjo që është një përsëritje e asaj të vitit të kaluar. Skuadra e Cavaliers do të kërkojë të  hakmerret ndaj Warriors për disfatën në finalen e vitit 2015 dhe për të siguruar titullin e saj të parë të NBA. Në krahun tjetër, Golden State i rekordeve do të synojë konfirmimin si skuadra më e mirë në basketbollin amerikan.

Kjo finale ka brenda saj edhe një supersfidë mes yjeve të këtyre dy skuadrave, Stephen Curry dhe LeBron James, dy basketbollistë që janë cilësuar si simbolet e NBA të ditëve të sotme. Se cili do të triumfojë, atë do ta tregojë fusha e lojës, por ajo që është e sigurt është se të dy këta lojtarë mendojnë më shumë për triumfin e skuadrave të tyre respektive sesa për lavdinë personale. E megjithatë, përballja Curry-James premton të jetë një sfidë mes lojtarëve që kanë mënyrat e tyre për të interpretuar basketbollin, madje nuk janë të paktë ata që e krahasojnë këtë rivalitet me atë të Larry Bird e Magic Johnson.

“Për shkak të moshës, nuk kam mundur të përjetoj rivalitetin mes Bird e Johnson. Por, si i apasionuar i NBA, kam lexuar gjithçka që ka të bëjë me ta, sfida mes të cilëve ka qenë një burim frymëzimi”, deklaron Curry.

“Kam pasur fatin të përballem me shumë kampionë, më të mirët e epokës sime, kurse tani do të luaj përballë Curry dhe Golden State”, deklaron James.

Ndeshja e parë dhe e dytë mes Cleveland dhe Oklahomës do të luhet ne Okland, ndërsa dy të tjerat në Ohajo. Nëse do të ketë ndeshje të pestë, ajo do të zhvillohet sërish në Kaliforni, ndërsa e gjashta në Klivlend. Sfida e shtatë, nëse do të arrihet deri në këtë pikë, do të luhet sërish në Okland, në 19 qershor.

Top Channel