Kukësi kundër taksës së rrugës, Bashkia: Ndëshkon rajonin më të varfër në vend

02/06/2016 11:10

Pas njoftimit të Ministrisë së Transporteve për afrimin e përfundimit të koncesionit të Rrugës së Kombit, ku janë përcaktuar dhe dy kompanitë që do të jenë në garë për mirëmbajtjen e kësaj rruge, kreu i Bashkisë Kukës është shprehur i shqetësuar pasi taksimi i automjeteve që do të përshkojnë këtë rrugë do të ketë kosto edhe për qytetarët dhe bizneset kuksiane.

Për shkak së rajoni i Kukësit është zona më e varfër në vendin tonë kryebashkiaku i ka bërë thirrje Kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës  që të reflektojnë pasi taksimi do të ndikojë negativisht drejtpërdrejt në turizëm dhe në ekonomi.

“I bëjmë thirrje zotit kryeministër që ta shikojë me përparësi dhe të mos rëndohen, të paktën qytetarët që jetojnë në Kukës. Duhet të ketë një transparencë të saktë si dhe sa do të paguhet. Është një mungesë interesi i përbashkët. Qytetarët e Kosovës do të stopojnë kur të kenë për të paguar një taksë 10 euro në fundjavë”, shprehet Bashkim Shehu, kreu i bashkisë Kukës.

Nëpërmjet pikës kufitare të Morinës më shumë se 1 milion Kosovarë dhe të huaj i drejtohen bregdetit dhe alpeve shqiptare gjatë sezonit turistik, ndërkohë që Luginës së Valbonës i drejtohen më shumë se 60 mijë turistë çdo vit.

Top Channel