Fullani, 12 paga shpërblim. Gjykata i jep pjesërisht të drejtë ish-guvernatorit

02/06/2016 00:00

Gjykata Administrative i dha pjesërisht të drejtë ish-guvernatorit Ardian Fullani , duke urdhëruar bankën e Shqipërisë dhe Kuvendit që t’i paguajë 12 muaj paga për shkak të shkarkimit të tij me 2014 nga ky post që e mbante prej dy mandatesh.

Me dyer të mbyllura dhe pa praninë e kamerave, gjyqtari Besart Karckini tha se padia për dem moral duhet të ishte ngritur brenda afatit që parashikon ligji, pra brenda një viti, ndërkohë që sipas gjyqtarit ky afat është parashkruar e për këtë duhet rrëzuar. Por, duke ju referuar mënyrës se si u shkarkua Ardian Fullani, gjyqtari theksoi se largimi i tij nga detyra është bërë në tejkalim të ligjit.

Këtë çështje nuk duhet ta shqyrtonte Komisioni i Ekonomisë, por Komisioni i Ligjeve e për këtë arsye vendimi i tyre i kaluar Kuvendit për shkarkim është në tejkalim të kopetencave. Duke ju referuar qëndrimit të Bankës së Shqipërisë, e cila pretendoi gjatë gjykimit se ish-guvernatori Ardian Fullani kishte shkelur rëndë etikën, gjyqtari e rrëzoi këtë qëndrim me argumentin se nuk u provua gjyqësisht.

Ekzistonte një mardhënie besimi mes ish-guvernatorit dhe Bankës dhe tashmë ky besim nuk ekziston më tha gjykata, duke rrëzuar kështu edhe kërkesën tjetër të ish-guvernatorit për t’u rikthyer në detyrë.

Në përfundim të vendimit, avokati i ish-guvernatorit, Maks Haxhia tha jashtë kamerave për Top Channel se do ta apelojë vendimin pasi sipas tij vendimi është kontradiktor. “Ne do të këmbëngulim edhe në Gjykatën Administrative të Apelit për dëmshpërblim moral e fizik dhe rikthim në detyrë”, pohoi avokati.

Top Channel