Anglia nuk bind, por fiton 1-0 me portugezët

02/06/2016 00:00

Anglia arriti të marrë një fitore 1-0 në miqësoren ndaj Portugalisë që u luajt në “Wembley”. Pavarësisht se “tre luanët” e nisën me 3 sulmues sfidën, ndeshja u vendos nga qendërmbrojtësi Chris Smalling i cili shënoi 5 minuta nga fundi.

Portugalia ishte pa kapitenin Cristiano Ronaldo i cili është lënë disa të ditë të tjera pushim për shkak të angazhimeve në finalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa vetëm pas gjysmë ore lojë iberikët mbetën edhe pa Bruno Alves.

Mbrojtësi i kombëtares portugeze u ndëshkua me të kuq për shkak të një ndërhyrje ndaj Harry Kane, i cili ishte me shumë fat pasi ndërhyrja mund të përfundonte edhe tragjikisht.

Pavarësisht fitores, Anglia nuk bindi në këtë ndeshje dhe aktivizimi nga minuta e parë e Vardy-Rooney-Kane nuk rezultoi një ide shumë e mirë.

Kjo ishte ndeshja e fundit e Anglisë përpara Europianit dhe skuadra e Roy Hodgson do të udhëtojë për në Francë për të hyrë edhe zyrtarisht në emocionet e kompeticionit më të rëndësishëm europian.

Top Channel