“Kongresi i Lushnjes” fiton kampionatin e shkollave 9-vjeçare

01/06/2016 00:00

Është luajtur këtë të mërkurë, me rastin e 1 Qershorit, finalja e kampionatit të minifutbollit për shkollat 9-vjeçare.

Fituese e turneut “Eja luaj në parkun tënd”, që kishte si qëllim përfshirjen e moshave të vogla në aktivitetet sportive, është shpallur shkolla “Kongresi i Lushnjes”.

Ky ka qenë edicioni i parë i këtij kampionati, të organizuar nga Agjencia e Parqeve dhe Rikreacionit pranë Bashkisë së Tiranës dhe Drejtorisë Arsimore, me mbështetjen e FSHF-së.

Në këtë aktivitet sportiv, që nisi më datë 9 maj, morën pjesë 36 shkolla të kryeqytetit. Në vend të dytë u rendit shkolla “Pjetër Budi”, e ndjekur nga “Avni Rustemi” në të tretin dhe “Edit Durham” në të katërtin.

Ndërsa golashënuesi më i mirë i turneut ka dalë Frenkli Xharra, me 11 gola; mesfushori më i mirë Xhefri Hado; ndërsa sulmuesi më i mirë Uesli Shano. Në fund, finalistët e kampionatit morën fanela të kombëtares shqiptare, të dhuruara nga FSHF-ja.

Top Channel