
Futbollistit të Tiranës, Gentian Muça iu ul vendimi nga 1 vit në 6 ndeshje pezullim dhe 1 milionë lekë (të vjetra) gjobë. Mbrojtësi ka kryer dy ndeshje pezullim dhe do t’i duhet të shlyejë edhe katër të tjera.
Komisioni i Apelit në FSHF, pranoi kërkesën e klubit Tirana për uljen e këtij dënimi. Ai u dha për nxitjen e tifozëve që Muça bëri me megafon një muaj më parë gjatë zhvillimit të derbit me Partizanin.
Po ashtu, vendimi për të mbyllur dyert e stadiumit brenda dhe jashtë kryeqytetit për tifozerinë bardheblu nga 8 ndeshje është reduktuar në vetëm 2 ndeshje, të cilat janë shlyer në fund të sezonit të kaluar.
Komisioni i Apelit nuk ia uli dënimin ekipit të Korabit, tifozët e të cilit hynë në fushë gjatë ndeshjes me Kastriotin.
Sezonin tjetër ku Korabi do të luajë në Superligë, ndeshjet nuk do t’i luajë në Peshkopi dhe 15 ndeshjet pritëse do t’i luajë pa tifozë.
Top Channel