Risia, Euro 2016 do të jetë i pari pa duhanpirje

31/05/2016 00:00

Për të shënuar Ditën ndërkombëtare të Antiduhanit, UEFA konfirmoi këtë të martë politikën e saj për një Europian “pa duhanpirje”, për pasojë të 10 stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet nga 10 qershori deri më 10 korrik do të shpallen zona pa duhan, brenda dhe jashtë tyre.

Si pjesë e fushatës së UEFA-s “Respektoni shëndetin tuaj”, Europiani pa duhan i kësaj vere do të ecë kështu me një hap përpara nga të gjithë turnetë e tjerë europianë, pasi vullnetarë të shumtë por edhe rojet e stadiumit “stewards” janë trajnuar posaçërisht për t’u bërë të ditur spektatorëve politikën e institucionit europian të futbollit, politikë që duhet të zbatohet gjatë gjithë kohës.

Kushdo që do të kapet duke pirë duhan, apo duke tymosur cigaret elektronike me të kaluar pengesat rrotulluese për hyrjen në stadium, do t’i kërkohet të ndalet: e pasi ta shuajë do të lejohet brenda.

Mbi 6.500 vullnetarë janë gati për të zbatuar këtë politikë në Euro 2016. Ata kanë marrë trajnimin e nevojshëm përmes një platforme elektronike, një aplikacioni dhe një sesioni improvizimi të situatave të ngjashme me hyrjen e tifozëve në stadium.

Top Channel