Duhani, fermerët e Dumresë kërkojnë heqjen e monopolit

31/05/2016 00:00

Fermerët që kultivojnë duhan në Dumre janë ulur në tryezën e bisedimeve me përfaqësuesit e kompanisë greke që grumbullon prodhimet e tyre.

Takimi është ndërmjetesuar nga organet shtetërore pas protestave të fermerëve se prodhimi i tyre nuk tërhiqet nga kompania që e ka porositur duke ju krijuar atyre humbje.

“Deri më datë 15 kompania ka afat të shlyejë detyrimin. Pas kësaj date do t’i propozhet Ministrisë së Bujqësisë heqja e licencës”, thotë Gentian Selimaj nga Agjencia Kombëtare e Duhan-Cigareve.

Por për kryetarin e Shoqatës së Fermerëve të Dumresë, një masë e tillë është ende e pamjaftueshme.

“Nuk jam dakort me politik-bërjen dhe premtimet e kompanisë përsa i përket punës së tyre në zonën tonë, për duhanin”, thotë Petrit Paja, kryetar i shoqatës.

Përfaqësuesit e kompanisë greke që grumbullon prodhimin u angazhuan të kenë më tepër bashkëpunim me fermerët.

“Është e vërtetë që ka patur vonesa për pagesat dhe në datën 10 qershor do të fillojnë pagesat për të gjithë fermerët. I garantoj se në të ardhmen do të ketë rritje të çmimit të duhanit”, tha Panajotis Tahtalidis, përfaqësues i Mica Korça.

Por problemi kryesor që ka të bëjë me monopolin e grumbullimit të duhanit, duket se zgjidhjen e ka të largët. Përpos vonesave të përhershme në pagesa dhe uljes së çmimit të blerjes së duhanit, nën kosto, fermerët e Dumresë tashmë kanë ulur në masën 50 përqind kultivimin e kësaj kulture.

Top Channel