Sulmuesi i Olympiacosit, rrëmbehet e më pas lirohet në Meksikë

30/05/2016 12:20

Futbollisti i Olympiacosit të Greqisë, Alan Pulido bëhet protagonist i një ngjarjeje të rëndë. Sulmuesi meksikan u rrëmbye mbrëmjen e së shtunës në Ciudad Victoria, por u lirua pas disa orësh nga policia.

Lajmi u bë i ditur nga “Sky News”, që iu referua medias vendase. Futbollisti 25-vjeçar, fitues i titullit kampion në Greqi, prej një jave ishte kthyer në vendin e tij.

Rrëmbimi ndodhi në shtetin Tamaulipas, një zonë që njihet për nivelin e lartë të pengmarrjeve nga ana e narkotrafikantëve. Media vendase bën të ditur se Pulido ishte duke u kthyer nga një festë, kur 3 makina me persona të armatosur i bllokuan rrugën për ta marrë me vete me forcë, duke e lënë të lirë të fejuarën e tij.

Lirimi i lojtarit u konfirmua edhe nga agjenti i tij, Felipe Ayala, si dhe familjarët. Alan Pulido mësohet se u plagos lehtë në këtë ngjarje, duke u dërguar në spitalin e Ciudad Victorias për t’u kuruar. Ai u shfaq para medias me dorë të fashuar, duke deklaruar se për fat të mirë ai nuk kishte probleme fizike.

Top Channel