
Autoritete greke kanë ndaluar dhe shoqëruar në portin e Katakolos, në perëndim të Patras, një anije të dyshuar se po transportonte lëndë narkotike ose armë, nga Shqipëria drejt Libisë.
Sipas autoriteteve greke, “Leith” me flamur Sierra Leone, u ndoq prej shërbimeve sekrete të marinës greke, menjëherë sapo ajo u nis nga Durrësi, katër ditë më parë. Anija u gjet në jug-perëndim të ishullit në Zakynthos, në distancën 50 milje nga bregu dhe u shoqërua rreth orës 02:00 të mëngjesit të së shtunës në portin “Katakolo”.
Dyshimet kishin të bënin me ngarkesën e saj, pasi sipas burimeve policore, dyshohej se në bord ishin ngarkuar sasi armësh ose lëndësh narkotike me destinacion Libinë ndërsa në bazë të dokumentacionit duhet të shkarkoheshin 2700 tonët e çimentos që ajo kishte ngarkuar në Durrës.
Menjëherë në anije janë dërguar forca të shumta policore,dhe qen të stërvitur për kërkimin e lendeve narkotike, por pa mundur të gjendet asgjë e dyshimtë.
Burimet nga zona, thanë për Top Channel, se dyshimet kishin të bënin me ngarkimin e një konteineri në hambarin e dytë të anijes, por që sipas informacioneve të deritanishme nuk kishte asgjë të dyshimte.
Fillimisht u dha urdhri që anija të shkarkohej në portin e Katakolos, por kjo ishte e pa mundur, ndaj u vendos që ajo të dërgohej në portin e Patrës për t’u shkarkuar, por kostot e larta të shkarkimit, të kombinuara me burimin jo të sigurt të informatave, kanë sjellë anulimin e urdhrit të shkarkimit, dhe lejimin e udhëtimit në intenerarin e saj fillestar.
Ndalimi i saj në itenerarin Durrës-Libi, është rastësishëm dhe nuk lidhet me ndonjë trafik të organizuar armësh ose lëndësh narkotike, sqaruan burimet.
“Leith” lëviz shpesh mes porteve të Qipros së Veriut, Libisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, çka e vë atë në listën e anijeve të dyshuara, kryesisht për kondrabandë cigaresh dhe pijesh alkoolike, ose transport të ngarkesave jo të ligjshme.
Top Channel