Vjedhje për t’u ushqyer. Të miturit pranojnë 10 grabitje në maj

28/05/2016 15:45

Romario, 16 vjeç, i arrestuar për vjedhje, pohoi para gjykatës se këtë ai e ka bërë për t’u ushqyer. Jam i varfër, tha minoreni dhe prindërit i kam pa punë. Kam vjedhur edhe dyqane të tjera ushqimesh nga uria.

Këtë version të tij e mbështeti edhe psikologia, e cila u thirr nga gjyqtari Arjan Aliaj për të asistuar gjatë masës së sigurisë, e cila ndoqi gjithashtu edhe masën ndaj shokut të Romarios, Valterit. Psikologia tregoi se për këtë të mitur ajo kishte qenë edhe herë tjetër e pranishme në gjykatë, pasi ai ishte arrestuar edhe më herët duke vjedhur ushqime.

Dy të miturit, së bashku me Orges Osmanin, 18 vjeç, u kapën në flagrancë nga pronari i një ruloje teksa ata po vidhnin Molto. Osmani gjithashtu është përsëritës, ndërkohë që nëna e tij pohon për Top Channel se nuk ka mundësi ekonomike ta rrisë.

“Jemi shumë të këputur, jo të varfër. Nuk e kam çuar në shkollë. Për bukë ka vjedhur”, tha nëna e të miturit.

Policia deklaroi se tre djemtë kanë rrëfyer edhe 10 vjedhje të tjera brenda muajit maj. Ndërkohë që la të lirë vetëm Romarion , për dy shokët e tij, duke qenë se janë përsëritës,  u vendos masa “arrest me burg”.

Top Channel