Rimbursimi, edhe 55 barna. Beqaj: Ulja e çmimeve, s’ka prekur aspak cilësinë

28/05/2016 00:00

Në 1 qershor hyn në fuqi lista e re e barnave të rimbursueshme  të cilës i janë shtuar edhe 55 medikamente të reja për vitin 2016.

“Ne vazhdojmë të kemi vëmendje më të veçantë për dy grupe sëmundjesh, ato tumorale dhe kardiovaskulare. Kemi rpaktikisht edhe barna të tjerë, antidiabetikë, për neurologjinë”, thotë ministri Beqaj.

Shpesh disa nga barnat që janë në listën e rimbursimit dhe që merren falas nga disa kategori të popullatës, si pensionistët,  thuhet  se nuk kanë cilësi. Por, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, thotë se ulja e çmimeve nuk ka prekur aspak cilësinë pasi është rritur numri i barnave patentë që hyjnë në tregun farmaceutik.

“Perceptimi vjen për barnat që vlejnë më lirë dhe ato që rimbursohet 100 për qind. Por, deri më sot nuk kemi raste kur barna të caktuara kanë rezultuar jo efektivë, kjo është e raportuar nga mjeku. Ulja e ndjeshme e çmimit të barnave këto dy vite ka rritur numrin e barnave origjinatorë, të cilët në vlerë përbënin 35% të importit të barnave në 2013-n, ndërsa në 2015 kanë arritur në 55%”, shprehet Beqaj.

Lista e re e barnave të rimbursueshme përmban 308 principe aktive .Ndërkohë, pjesë e listës janë dhe disa medikamente tabletë apo shiringa të parapërgatitura  që mund të merren në shtëpi nga të sëmurët me probleme tumorale si dhe 6 citostatike, të cilat rëndonin xhepin e këtyre  pacientëve.

Top Channel