Zv.ministri i Jashtëm grek Jannis Amanatidis i është përgjigjur në një seancë parlamentare pyetjes së deputetit të Demokracisë së Re, Jorgjios Vajonas, në të cilën ky i fundit thekson vonesat në varrimin e ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke dhe qëndrimin e sotëm të pamoralshëm, siç thekson, të Ministrisë së Jashtme shqiptare.
Sipas diplomatit grek, Athina dhe Tirana po bashkëpunojnë prej vitesh për këtë çështje me anë të komisionit dypalësh të specialistëve dhe pritet ndërkohë zhvillimi i një mbledhjeje të përbashkët në kryeqytetin grek, ku do të hidhet propozimi që të përfundojë së pari varreza e Këlcyrës dhe më pas të bihet dakord nga të dy palët për vendet e tjera ku do të ndërtohen varreza.
Sa për numrin e të rënëve, zv.ministri grek është përgjigjur se për këtë ka të dhëna vetëm Ministria e Mbrojtjes. Ndërkohë, deputeti konservator ka këmbëngulur se përveç vonesave, qëndrimi i Ministrisë së Jashtme shqiptare në muajt e fundit nuk ka qenë ai i duhuri, duke sjellë si shembull deklaratën e këshilltarit të kesaj ministrie, Glevin Dervishi, dhënë për Top Channel, se, nuk do të cilësohet si ushtar grek një i varrosur që nuk i gjendet medaljoni ushtarak.
Përgjigjia e zotit Amanatidhi ka qenë se, Athina do bëjë çmos që çështjet dypalëshe me Tiranën të përfundojnë menjëherë dhe para fillimit të negociatave të anëtarësimit në BE.
“Këmbëngulim se duhet të plotësohen detyrimet që kemi vënë. Pala greke cilëson se është e nevojshme të mbyllen të gjitha çështjet dypalëshe menjëherë dhe para se të nisin negociatat për integrimin e Shqipërisë në BE, nëpërmjet zgjidhjeve të pastra, në mënyrë që hyrja e Shqipërisë në BE të mos shoqërohet me çështje ende të pazgjidhura brenda kuadrit europian”, deklaroi Amantidhi.
Përgjigjia e pyetjes së deputetit konservator nga ana e diplomatit grek ka ndodhur vetëm disa ditë përpara vizitës së ministrit të Jashtëm grek në Tiranë dhe bisedimeve që ai pritet të ketë me homologun e tij shqiptar Bushati, ku midis të tjerash do të flitet dhe për çështjen e ligjit të luftës dhe të problemeve të ndërvarura prej tij, të cilat kreu i diplomacisë shqiptare i bëri të ditura në një intervistë për Top Channel, vetëm pak orë përpara interpelancës në Parlamentin grek.
Top Channel