Vëllezërit Xhaka, “minierë” parash për Basel

26/05/2016 00:00

Basel i besoi duke u ofruar një kontratë të denjë në futbollin profesionist kur askush nuk besonte dhe familja Xhaka duket se po e shpërblen më së miri skuadrën zvicerane të futbollit.

Kampionët e rikonfirmuar të kampionatit helvetik deri pak vjet më parë kishin në formacion të dy vëllezërit e mesfushës, Granit dhe Taulant Xhakën por edhe pse tani vetëm lojtari i kuqezinjve është në organikë, përfitimet vazhdojnë.
 
Kalimi i Granit Xhakës tek Arsenal ishte hapi më i madh në karrierën e futbollistit që luan me kombëtaren zvicerane, por 35 milionë paundët e paguar nga londinezët, kanë sjellë bonuse të majme edhe te Basel.

Në kontratën e shitjes që zviceranët përpiluan kur e dërguan në Bundesliga te Borussia Monchengladbach, kishin nënvizuar dhe një klauzolë përfitimi.

Falë kësaj të fundit, Basel do të fitojë 7.6 milionë nga shitja e Granitit që ka luajtur më parë me të rinjtë dhe me ekipin e parë, një shumë e madhe duke konsideruar se gjermanët e blenë vetëm 11 milionë.
 
Por një fitim i majmë mund të vijë për helvetikët edhe nëse Taulant Xhaka do të ndryshojë fanellë këtë verë. Mesfushori energjik i Shqipërisë që është nën kontratë me Basel, vlerësohet 4 milionë euro sipas faqes së njohur “Transfermarket”.

Por zviceranët do ta largojnë për të paktën dyfishin e kësaj shume, edhe në varësi të asaj se çfarë do të rezervojë Taulanti këtë verë në Euro 2016.

Top Channel