Një familje për jetimët; projekti, financim familjeve kujdestare

26/05/2016 00:00

Pas skandalit në jetimoren e Shkodrës, ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi ka mbledhur kryebashkiakët për t’iu bërë të ditur aksionin e ndërmarrë për deinstiucionalizimin e jetimoreve.

Ky plan parashikon që deri në fund të këtij procesi, 140 fëmijëve që janë në këto qendra do t’u gjenden familje kujdestare, duke i kthyer jetimoret në qendra ditore.

“Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, me këtë forcë dhe me një punë më të përqendruar, në fund të vitit do të kemi një reduktim maksimal të fëmijëve që janë rezidentë në qendrat tona”, deklaroi Klosi.

Klosi tha se ky projekt është në proces miratimi. “Është në ligjin e ri që tani është në procesin e miratimit. Po ashtu, ne kemi kërkuar që përmes këtij ligji ta bëjmë këtë me ligj, por duhet më parë reforma territoriale, që bashkitë të jenë më të forta dhe të kenë më shumë mundësi që ta realizojnë këtë reformë. Por vetë bashkitë duhet të futen në dimensionin social”, tha Klosi.

Ndërsa drejtoresha e politikave në Ministrinë e Mirëqënies Sociale sqaron mekanizmin e funksionimit të këtij projekti. “Familja kujdestare do të paguhet nga buxheti i shtetit çdo muaj për çdo fëmijë të marrë. Ato do të jenë familje që do të identifikohen nga pushteti vendor, që të jenë familje me një lloj vokacioni dhe një dëshirë për të mbajtur fëmijët e institucioneve brenda tyre dhe t’i trajtojnë njësoj si fëmijët e tyre”, deklaroi Denada Seferi.

Nga ana e tij, ministri Klosi shtoi se qëllimi i reformës është që çdo fëmije që braktiset nga familja biologjike t’i gjendet një familje e përshtatshme dhe në këto të fundit do të ushtrohet nga ana e shtetit kontroll i vazhdueshëm.

Top Channel