Historia që po harrojmë

25/05/2016 00:00

Nuk ka histori të mirë apo të keqe por ajo duhet njohur si e tillë. Pothuajse një gjysmëshekulli shteti të pavaruar shqiptar nën regjimin komunist nuk ka pasur vetëm terror, – thonë historianët, – por ngjarjet e asaj kohe duhen njohur edhe në kontekst diplomatik, ekonomik, social dhe arsimor, ndaj dhe duhen të zënë vend edhe në Muzeun Historik Kombëtar.

“Është një brez i tërë i shqiptarëve, fëmijët tanë që nuk e kanë jetuar. Është e domosdoshme që ta njohin atë periudhë. Ne studiojmë në përgjithësi historitë e epokave të ndryshme në mënyrë komplekse, e këtë gjë mund ta bëjmë edhe për historinë e socializmit. Gjithnjë duke mos paragjykuar asgjë, por thjesht funksionin njohës të këtij muzeu”, tha Prof. Dr. Hamit Kaba, historian nga Instituti i Studimeve Albanologjike.

Që prej vitit 1996, në Muzeun Historik Kombëtar ka funksionuar fillimisht pavioni i gjenocidit, e më pas pavioni i terrorizmit komunist, çfarë janë shumë pak për këtë institucion.

“Jo vetëm pavioni i terrorit komunist, por i gjithë Muzeu Historik Kombëtar duhet të ketë një koncept ndryshe. Tashmë letrat janë në tavolinë, e pritet vetëm mbështetje financiare nga instancat e duhura dhe nga operatorët e tretë privatë që kanë dëshirë të ndihmojnë muzeun”, tha Melsi Labi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.

Sipas historianëve, ka ardhur koha që këtë gjë ta bëjnë specialistët, të pandikuar nga emocionet dhe e shkuara politike, por thjesht duke treguar të shkuarën si një shërbim ndaj të përmirësimit të së ardhmes.

Top Channel