Fëmijët, Vlahutin: 3% buxhet për përkujdesjen nuk mjafton

25/05/2016 00:00

Në Ditën Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur, vëmendja e të gjithë shoqërisë përqendrohet te fëmijët dhe situata e tyre, dhuna që ushtrohet, si dhe shërbimet e cunguara që ofrohen për shkak të buxhetit të ulët.

Ambasadorja e BE-së në vendin tonë, Romana Vlahutin, gjatë një aktiviteti të organizuar në qytetin e Durrësit deklaroi se mënyra se si trajtohen fëmijët lë shenjë përgjithnjë jo vetëm në jetët e tyre, por dhe në shoqërinë shqiptare, ndaj shteti ka detyrim t’i mbështesë familjet në nevojë për t’i rritur ata në mënyrë sa më të mirë.

Por, theksoi ambasadorja, vetëm 3% e buxhetit që në Shqipëri shkon për përkujdesjen sociale nuk mjafton për të arritur rezultat.

“Po ndalem te debati për buxhetin e përkujdesjes sociale. Ai është në nivelin 3 për qind, ndaj pavarësisht dëshirës dhe vullnetit të mirë, po nuk pati fonde, vështirë të arrihet rezultati”, deklaroi Vlahutin.

Të pasurit një legjislacion të mirë dhe gjithnjë në përmirësim, por që mbetet problem për t’u zbatuar është pranuar edhe nga ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, i cili tha se duhet një aleancë e gjerë për të ndërtuar një sistem më të fortë të mbrojtjes sociale në vend.

Gjatë konferencës u bë edhe prezantimi i aplikacionit “Unë Mbroj Fëmijët”, si dhe nisma e Ministrisë së Arsimit për të përfshirë në kurrikulat shkollore informacionin mbi dhunën ndaj fëmijëve dhe raportimin e saj.

Top Channel