Ekspozita kundër dhunës në familje

25/05/2016 00:00

Nxënës të shkollave të mesme dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përuruan të martën një ekspozitë rreth dhunës në familje. Ekspozita, e cila përbëhej prej pikturave, fotografive, instalacioneve, poezive dhe shkrimeve, është fryti i punës krijuese të nxënësve të Gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, nën sloganin #MosHesht, në kuadrin e fushatave të vazhdueshme të Prezencës kundër dhunës në familje.

“Angazhimi qytetar ka të bëjë jo vetëm me identifikimin e çështjeve që ngjallin shqetësim publik, por mbi të gjitha ka të bëjë me qytetarët që punojnë për t’i dhënë zgjidhje këtyre çështjeve në një mënyrë konstruktive. Ka të bëjë me veprime praktike”, tha në hapje të ekspozitës Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Ëilton. “Ju vepruat. Ju bëtë tuajin sloganin e fushatës #MosHesht. Ju reaguat përmes pikturave, fotografive dhe poezive tuaja duke ndarë kështu një mesazh të qartë me bashkënxënësit tuaj, me ne dhe me mbarë shoqërinë. Ky është një shembull i shkëlqyer i atij angazhimit qytetar, i cili i nevojitet një demokracie që kjo të lulëzojë”, u tha Ëilton nxënësve pjesëmarrës në përurim të ekspozitës.
 
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, iu drejtua studentëve duke thënë se përmes ekspozitës po japin kontributin e tyre për ndërgjegjësimin e qytetarëve rreth problemeve, me të cilat ballafaqohen viktimat e dhunës në familje. Ai tha se besimi në Policinë e Shtetit është element thelbësor në zgjidhjen tërësore të problemit.
 
Katër vjet më parë, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi fushatën e saj të parë kundër dhunës në familje në Tiranë, për ta shtrirë atë më pas në qytete të tjera si Korça, Elbasani dhe Gjirokastra. Prezenca ka punuar fuqishëm për forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit përmes trajnimeve të shumta, gjatë të cilave punonjësit e policisë janë pajisur me instrumentet dhe njohuritë e nevojshme për ta trajtuar dhunën në familje me efektivitet të shtuar.

Top Channel