
Ka rezultuar një alarm fals braktisja para kohe e stërvitjes nga Cristiano Ronaldo, 5 ditë përpara finales së madhe të Ligës së Kampioneve, kundër Atletico Madrid. Sulmuesi portugez ka lënë para kohe seancën stërvitore në Valdebebas, pas një përplasje që pati me portierin Kiko Casilla.
Ronaldo që edhe pak kohë më parë ka shfaqur probleme me bicepsin femoral të këmbës së majtë, e la fushën e stërvitjes duke çaluar, për të vijuar më pas me një kontroll më të specializuar në qendrën mjekësore. Por, ka qenë po vetë portugezi që në fund është shprehur se: “Jam mirë, ishte thjesht një goditje”.
Gjithsesi lajmi për braktisjen e seancës stërvitore ishte si një sinjal alarmi në të gjitha mediat sportive botërore, në prag të finales së madhe, që vlen shumë për Real Madridin, pse jo edhe për Atletico Madrid, që kërkon hakmarrjen.
Top Channel