
Bashkia e Tiranës ka organizuar një seri aktivitetesh argëtuese këtë fundjavë, që variojnë nga muzika, kultura e deri tek gara e hipizmit.
Eventi nis pasdite në orën 18:30, ku në ambjentet e Amfiteatrit tek Liqeni artificial programi “Firstwave” do të sjellë muzikë për të gjithë të apasionuarit.
Po ashtu, po tek Parku i Liqenit do të hapet Festivali Ndërkombëtar i Tunxhit, me qëllim ringjalljen e traditës së instrumenteve muzikore të vjetra.
Për këtë do të performojnë instrumentalistë solistë, por edhe grupe të vogla, të ardhur nga vende të ndryshme të botës.
Ndërkohë, ditën e diel do të zhvillohet edhe gara e hipizmit, ku do të marrin pjesë 13 kampionë. Gara në fjalë do të zhvillohet në fushën para stadiumit “Selman Stërmasi” në orën 17:00, me protagonistë kampionë ndërkombëtarë si David Macpherson nga Britania e Madhe, Hilmar Meyer, Marcell Muller dhe Alexa Stais nga Gjermania, Boban Plocka nga Maqedonia, si dhe konkurrentë të tjerë nga Bullgaria dhe Shqipëria.
Eventi, i kuruar ne detaj nga Agjencia e Parqeve dhe Rikreacionit, do të kulmojë me një koncert muzikor, ku do të jetë i pranishëm grupi “Big Band”, por edhe të tjera që do të performojnë zhanre të ndryshme si jazz, funky, blues, latin, por edhe muzikë shqiptare.
Top Channel