Tirana, rrjet të ri ujësjellësi; Veliaj: Taksat kthehen në investime

20/05/2016 00:00

Bashkia e Tiranës po investon në një rrjet të ri ujësjellësi, që konsiston në zëvendësimin e rrjetit ekzistues dhe shtimin e depove të ujit në zonat periferike të kryeqytetit.

Kreu i bashkisë, Erion Veliaj inspektoi nga afër punimet që po bëhen në bllokun e pallateve pranë Ministrisë së Jashtme.

“Kjo është një ndër zonat që paguan në mënyrë korrekte faturat e ujit dhe dua t’u bëj thirrje gjithë qytetarëve se sa më korrektë janë, aq më shumë na mundësojnë që t’ua kthejmë këtë me investime”, deklaroi Veliaj.

Për herë të parë, theksoi Veliaj, po punohet me shtrimin e rrjetit dhe më pas do të vijohet me asfaltimin e rrugëve dhe sinjalistikën. Kjo, tha ai, tregon se jemi të vendosur të punojmë për premtimet e dhëna.

“Dua t’u kujtoj gjithë qytetarëve se po mbushet rreth një vit nga 21 qershori, kur u votua për të punuar në Tiranë. Pavarësisht pengesave, stërkëmbëshave, sabotimeve, i garantoj gjithë qytetarët që jam i fokusuar që vota që dhanë në datën 21 qershor të përkthehet me punë, punë, punë”, u shpreh Veliaj.

Nga ana tjetër, drejtori i UKT-së Redi Molla deklaroi se, ky investim do të eliminojë problemet me mungesën e ujit dhe papastërtitë që vijnë nga rrjeti.

Top Channel