Të shtëna pranë Shtëpisë së Bardhë, qëllohet agresori

20/05/2016 00:00

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar pasditen e kësaj të premteje shumë pranë Shtëpisë së Bardhë, gjë që ka detyruar forcat e shumta të sigurisë të rrethojnë zonën dhe të udhëzojnë të pranishmit të strehohen nëpër vende të sigurta. Agresori, siç raportojnë burime të “ABC News”, është qëlluar nga forcat ligjzbatuese teksa i afrohej i armatosur pikës së kontrollit, por pas plagosjes është transportuar në spital e më pas në paraburgim.

Ngjarja ka ndodhur jashtë krahut perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, “West Wing”, ndërkohë që Presidenti Barack Obama ka qenë në një ambient golfi në bazën e forcave ajrore “Andrews” në Maryland, teksa Joe Biden ka qenë në ndërtesë por në siguri të plotë.

Policia amerikane, e cila ka në juridiksion periferinë e Shtëpisë së Bardhë tha se të shtënat janë dëgjuar rreth orës 15:00 me atë lokale, në “West Executive Drive”. Ky ambient ndodhet brenda perimetrit të sigurisë së kompleksit të Presidencës dhe ndan zyrat e “West Wing” nga “Eisenhower Executive Office”, ku gjenden ambientet e të tjera të Zyrës Ekzekutive të presidentit amerikan, përfshi edhe zyrën ceremoniale të zv.presidentit Biden.

Raportuesit e ndodhur në sallën e konferencave të Shtëpisë së Bardhë janë lajmëruar menjëherë të strehohen nëpër vende të sigurta, madje edhe në bodrumet e Presidencës. Ndërkohë snajperë të gatshëm për çdo rast janë parë mbi tarracën e Presidencës amerikane.

FOTO GALERI
1/1
Planimetria e Shtëpisë së Bardhë

Top Channel