Fundi i 36 javëve i hap rrugën fazës “Final 4” në Superiore, si renditen ekipet pas përgjysmimit të pikëve dhe të gjitha detajet
Cleveland Cavaliers bën një tjetër hap drejt finales së madhe të NBA. Skuadra nga Ohajo mposhti sërish Toronton në serinë e ndeshjeve në finalen e Konferencës së Lindjes për të marrë kryesimin në 2-0. Në “Quicken Loans Arena”, Cavaliers arriti ta fitojë këtë përballje me kanadezët 108-89, ku spikati i zakonshmi LeBron James dhe Kyrie Irving.
Toronto iu kundërpërgjigj mjaft mirë lojës së Cleveland në 2 periodat e para, duke marrë edhe kryesimin në 35-34. Por Cavaliers reagoi menjëherë dhe ktheu situatën në favorin e tij falë pikëve të Irving, për të marrë avantazhin me një diferencë +7. Më pas, ishte James i cili thelloi akoma më shumë diferencën duke bërë që skuadrat të shkonin në pushimin e ndeshjes me rezultatin 62-48 për Cleveland.
Pjesa e dytë ishte e gjitha nën diktatin e skuadrës nga Ohio, që në 12 minutëshin e fundit e çoi në +20 diferencën e pikëve me Raptors që u detyrua të dorëzohej përballë superioritetit të Cleveland. Irving ishte shënuesi më i mirë për Cleveland me 26 pikë, ndërkohë që LeBron James e mbylli sfidën me 23 pikë, 11 topa në tabelë dhe 11 asist.
Seria e finaleve të Konferencës së Lindjes do të transferohet në Kanada, ku do të luhet ndeshja e tretë dhe ajo e katërt, me Cleveland që do të kërkojë të mbyllë menjëherë llogaritë.
Top Channel