Ekspertiza: Foshnja vdiq e mbytur, të hetohet për mjekim të pakujdesshëm

20/05/2016 00:00

Dyshimit të prindërve për mjekim të pakujdesshëm të vogëlushes Amelia Toçi, e cila dy muaj më parë ndërroi jëtë në Spitalin Pediatrik të Elbasanit, i është shtuar edhe mendimi i ekspertëve.

Në përgjigjen e autopsisë, ekspertiza mjeko-ligjore verën se në trajtimin  e fëmijës ka elementë të mjekimit të pakujdesshëm, çka duhet të trajtohet nga një grup ekspertësh.

Sipas mjekësisë ligjore, vdekja ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike nga zënia e rrugëve të frymëmarrjes nga një trup i huaj.

Amelia Toçi u dërgua në Spitalin Pediatrik në orën 20:00 të datës 20 mars të këtij viti. Sipas prindërve, mjekët gjykuan se gjendja e fëmijës nuk paraqitej shqetësuese ndaj dhe u rekomandua trajtimi në shtëpi.

Në orën 20:30 fëmija u nis drejt shtëpisë, por gjatë natës gjendja e saj u rëndua dhe mëngjesin e 21 marsit, në orën 05:00 vogëlushja u dërgua sërish në spital ku qëndroi deri në orën 19:00 kur ndërrroi jetë.

Në atë kohë babai i vajzës deklaroi për Top Channel se disa herë kishte kërkuar ta dërgonte fëmijën për trajtim më të specializuar në Tiranë, por nuk u lejua nga mjekët. Të pyetur jashtë kamerës mjekët thanë se foshnja u mjekua për bronkiolit. 

U deshën plot dy muaj që përgjigja e ekspertizës mjeko-ligjore të mbërrinte në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, tashmë pritet që organi i akuzës të kërkojë mendimin e ekspertëve dhe të vendosë në dispozicion të gjitha procedurat e ndjekura nga Spitali Pediatrik i Elbasanit për rastin Amelias.

Top Channel