Dhuna në Jetimoren e Shkodrës, e vjetër. Dëshmitë: Fëmijët rrihen prej vitesh

20/05/2016 00:00

Duna ndaj fëmijëve jetimë në Qendrën e Shkodrës nuk është një episod sporadik. Dhuna ka qenë një fenomen i vazhdueshëm dhe pothuajse normal në Jetimore. Këtë e pohojnë ata që kanë jetuar në këto qendra.

Spartak Sofia dhe Albert Reka tashmë janë në moshë madhore, por ata dëshmojnë se kanë parë për vite të tëra sesi fëmijët, por edhe vet ata, janë dhunuar nga njerëzit që kishin për detyrë të kujdeseshin për ta.

“Urinonim në krevat dhe në 2 të natës na bërtisnin e na godisnin. Ç’të bënim ne, atje ishte errësirë dhe kishim frikë, por ata na godisnin me shkopinj, me hithra edhe pse ka qenë verë. Sigurisht që më kanë rrahur edhe mua, e kam një shenjë në kokë qysh në moshën 12-13 vjeç, pikërisht pse kisha urinuar. I kanë keqtrajtuar edhe fëmijët e tjerë dhe vazhdojnë edhe sot. Është katastrofë”, thotë Spartak Sofia.

Albert Reka është nënkryetar i Shoqatës së Jetimëve. E pavarësisht se ndaj tij nuk ka pasur dhunë, ai dëshmon se dhuna ishte e vazhdueshme ndaj fëmijëve.

“Po, është dhunuar një shoku im i Shtëpisë së Fëmijës, pikërisht nga zyshat që kanë qenë të vjetra dhe janë ende aty që punojnë. Nuk dua të flas si nënkryetar i shoqatës, por si jetim, te të gjithë shokët e mi ka pasur dhunë. Kam qenë edhe i pranishëm aty, ka pasur raste që na kanë lënë edhe pa ngrënë, apo na kanë dënuar për të mos luajtur me lojërat tona si fëmijë”,thotë Albert Reka, nënkryetar i Shoqatës së Jetimëve në Shkodër.

Apeli i ish-banorëve të Shtëpisë së Fëmijëve në Shkodër është që dhuna të ndalet dhe të tregohet dashuri e përkujdesje për jetimët.

Top Channel