Skandali i jetimores, Klosi: Kemi kërkuar shkarkimin e punonjësve më herët

19/05/2016 00:00

Ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi reagoi sërish mbi skandalin në jetimoren e Shkodrës. Nga foltorja e Parlamentit ai hodhi akuza mbi pushtetin vendor, që sipas tij nuk ka marrë masa për parregullësitë që ka konstatuar shërbimi social shtetëror.

“Janë 8 raporte të miratuara nga Shërbimi Social Shtetëror që i kërkojnë kryetarëve të bashkisë, të dy të zgjedhur nga PD, masa për Iljazin, masa për drejtoreshën që sot është e arrestuar, pushimin nga puna të tërë kujdestareve”, deklaroi Klosi.

Por Avokati i Popullit, Igli Totozani, nga studioja e Top Channel,  tha se këto institucione kanë varësi si nga ministria ashtu dhe bashkia.

“Është një institucion me vartësi të dyfishtë, nga bashkia dhe ministria. Ditën që grupi ynë ka shkuar për të monitoruar ka qenë atje për të mbikëqyrur edhe shërbimin social shtetëror të zyrës rajonale të Shkodrës, por që për fat të keq nuk arriti të gjente të dhëna të tilla”, deklaroi Totozani.

Skandali i jetimores së Shkodrës është dënoncuar 2 vjet më parë edhe nga instituti i jetimëve. “Këtë situatë e kam bërë prezente pranë shërbimit social dhe ministrisë, ndërsa avokati e dinte që dy vite më parë”, deklaroi Ilir Çumani, drejtor i Institutit të Jetimëve.

Në bazë të ligjit, administrimi i jetimoreve bëhet nga pushteti vendor, ndërsa ministria nëpërmjet shërbimit social shtetëror ka rol monitorues.

Top Channel