Skandali i jetimores, edhe faji mbetet jetim

19/05/2016 00:00

Ping-pongu mbi përgjegjësinë institucionale për skandalin që shkon përtej njerëzores në jetimoren e Shkodrës nisi në panelin e Top Story këtë të enjte.

Përfaqësues të institucioneve që merren me menaxhimin, stafin, kontrollin dhe problematika të tjera të shtëpive të fëmijës, drejtuan gishtin nga njëri-tjetri mbi atë që ka ndodhur në Shkodër.

Me ligjin e decentralizimit, pushtetit vendor ka marrë disa funksione në mirëfunksionimin e këtyre institucioneve, por në cilësinë e kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi tha se institucioni që ajo drejton e ka të pamundur të ndryshojë situatën në të cilën ndodhet jetimorja.

“Është një ngjarje e rëndë për qytetin, institucionin dhe kërkon një qasje të vëmendshme duke u përpjekur që t’i shkohet deri në fund. Procesi i nisur i hetimit është në vazhdim dhe nuk ka mbaruar ende. Bashkia ka shumë pak që të ndryshojë gjendjen në jetimoren e Shkodrës. Sa për psikologen e jetimores, ajo ka marrë 80 pikë në testimin e bërë nga 100 pikë të mundshme”, tha Ademi.

Kryebashkiakja fajësoi qendrat rezidenciale për këtë dhe tha se bashkia ka një projekt për ta shndërruar në qendër sociale ditore, por që nuk është mbështetur nga qeveria.

Por në një lidhje nga godina e Ministrisë së Mirëqënies Sociale, ministri Blendi Klosi iu kundërvu. 

“Nuk jam këtu që të bëj ping-pong për përgjegjësinë. Sa u takon detyrimeve, në fund të fundit është një institucion komplet në varësi të Bashkisë së Shkodrës dhe ajo që na takon ne ka qenë inspektimi në institucion. Edhe institucionet e tjera kanë probleme të mëdha”, tha ai.

Ministri shtoi se në rastin e Shkodrës, i është kërkuar Bashkisë së Shkodrës që të zëvendësohet psikologia, pasi ishte jashtë profesionit të vet.
 
“Sa për psikologen, i është kërkuar Bashkisë së Shkodrës që nuk është në profesion. Ka një raport të ushtruar nga ISSH, ku kërkohet që psikologia nuk është në profesionin e vet’, u shpreh ai.

Ilir Cumani nga Instituti i Integrimit të Jetimëve fajëson bashkinë, nepotizmin për emërimet dhe kërkon shembjen e sistemit aktual të menaxhimit të këtyre qendrave.

“Drejtoresha e jetimores është vënë në detyrë nga Lorenc Luka, ish-kryetari i Bashkëisë së Shkodrës. Politika ka 11 vjet që bëjnë ping-pongun, që ku u miratua decentralizimi. Gjithë përgjegjësia për administrimin e këtyre qendrave i bie pushtetit lokal. Të shembet sistemi! Vetëm kështu shpëtohet nga këto. Është një sistem nepotik që e mban politika dhe tre raste abuzimi në 11 muaj e tregojnë këtë”, u shpreh ai.

Për probleme me sistemin foli edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani.

“Ky sistem duhet të prishet. Decentralizimi nuk ka figuruar aq i suksesshëm dhe ka disa probleme të mëdha në fushën sociale. Është i nevojshëm, por nuk është paraprirë nga një studim i mirëfilltë”, tha ai.

Top Channel