Respekt ndaj diversitetit

19/05/2016 00:00

Në ditën kundër homofobisë, Top Albania Radio është vlerësuar me një çmim si një media e hapur dhe pa paragjykime. Çmimi i është dhënë moderatorit të “Top Media”-s, Ledion Liço.

“Unë jam gay dhe jetoj me ju. Jam thjesht ndryshe, por me po aq dinjitet sa një person tjetër, që e quan veten normal”, tha Elton Iliriani, themelues i “The Head Hunter”.

Elton Iliriani ka qenë shumë i drejtpërdrejtë në ndarjen e çmimeve për sipërmarrjet që kanë politikë antidiskriminuese. Kompania “The Head Hunter”, në ditën kundër homofobisë dhe transofobisë ka shpërndarë çmimet në kategoritë ar, argjend dhe bronz për bizneset që respektojnë diversitetin, duke punësuar edhe persona nga komuniteti LGBT.

Në kategorinë argjend, si një media e hapur dhe pa paragjykime është vlerësuar Top Albania Radio.

“Top Albania Radio është guri i parë i themelit të Top Medias. Një media që asnjëherë nuk ka paragjykuar dikë. Në median ku punojmë i duam të gjithë pa përjashtim, sepse qëllimi i një medieje është që të informojë dhe të argëtojë. Por mbi të gjitha mendojmë se, misioni i një medieje është që të ndryshojë mendjen e njerëzve për mirë”, u shpreh Ledion Liço.

Ky ka qenë viti i parë që kompanitë shqiptare kanë marrë pjesë vullnetarisht në hulumtimin e kryer nga “The Head Hunter”. Në total kanë qenë 71 kompani.

17 maji i vitit 1990 ka qenë dita kur homoseksualiteti nuk u quajt më sëmundje.

Top Channel