Naftëtarët, në protestë. 10 muaj pa paga, por nafta shitet

19/05/2016 00:00

Mosmarrja e pagës prej 10 muajsh ka detyruar punëtorët e rafinerisë së naftës në Ballsh, në pronësi të ARMO-s, të protestojnë përpara sallës së Parlamentit, duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit.

“Duam që shteti të marrë përgjegjësinë, të dalë në pozicionin që i takon dhe të marrë frenat e situatës në dorë për zgjidhjen e këtyre problemeve”, tha një naftëtar.

“Nëse nuk paguhen pagat, të paktën dy paga emergjence, në Ballsh të Mallakastrës ku ndodhet uzina e përpunimit të naftës do të ketë katastrofë sociale”, tha një tjetër protestuese.

Protesta vazhdoi më pas te Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe përpara Kryeministrisë.

Për protestën e naftëtarëve, jashtë sallës së Kuvendit reagoi ministri Damian Gjiknuri.

“Të gjejmë një mundësi, që nëpërmjet bankave të bëhet një ristrukturim i kësaj ndërmarrjeje. Edhe shteti do të shohë se nga çfarë mund të heqë dorë, por është një proces jashtëzakonisht i vështirë”, tha ministri Gjiknuri.

Deri në gusht të vitit që shkoi, kjo uzinë ka qenë nën administrimin e një kompanie azere, e cila është aksionerja më e madhe e ARMO-s me 85 për qind, ndërsa 15 për qind e aksioneve janë në zotërim të shtetit shqiptar.

Kompania azere “Heany Assets Corporation” pasoi biznesmenin shqiptar Rezart Taçi për pronësinë e ARMO-s, por në gusht të 2015-s mbylli dyert për shkak të një kolapsi financiar. ARMO është kreditori më i keq në Shqipëri me rreth 600 milionë dollarë borxhe, kryesisht bankave të huaja, por edhe atyre vendase. Po ashtu ka një detyrim mbi 50 milionë dollarë te Tatimet dhe 30 milionë dollare tek “Albpetroli”.

Top Channel