Merkato në MotoGP, Vinales te Yamaha, Iannone te Suzuki

19/05/2016 14:10

Merkatoja e pilotëve në MotoGP ka qenë shumë aktive javët e fundit, edhe pse janë zhvilluar vetëm pak gara në këtë sezon të ri. Gjithçka nisi me zyrtarzimin e lajmit për kalimin e Lorenzos te Ducati, që shkaktoi edhe një efekt domino te skuadrat e këtij botërori.

Kështu, Yamaha zgjodhi Maverik Vinales për të zëvendësuar Lorenzon, lajm ky që u zyrtarizua shumë shpejt. Skuadra japoneze, nëpërmjet një komunikate për shtyp bëri të ditur se piloti i ri spanjoll ka firmosur një kontratë 2-vjeçare. Vinales, 21-vjeçar, bëri debutimin e tij në MotoGP në 2011 në klasin 125 kubikë, që më pas u bë Moto3. Ai arriti të fitojë botërorin në këtë kategori në vitin 2013 dhe është zgjedhur 3 herë “Piloti i ri më i mirë i vitit” (2011, 2014 dhe 2015), vit kur ai bëri debutimin në kategorinë më të lartë të këtij kampionati, MotoGP.
 
Kalimi i Vinales te Yamaha i hapi vendin Iannones te Suzuki, ku edhe në këtë rast nuk vonoi zyrtarizimi. Ashtu sikurse Vinales me Yamaha, edhe piloti italian ka firmosur me Suzukin një kontratë 2-vjeçare deri në vitin 2018. Iannone e ka nisur karrierën e tij në vitin 2004, kur ishte vetëm 15 vjeç. Në vitin 2005 ai filloi të garojë në klasin 125 kubikë, ndërsa në 2010 ai kaloi në Moto2, ku arriti të fitojë 8 gara.

Në vitin 2013 ai u bë pjesë e MotoGP, ku sezonin e kaluar u rendit në vendin e pestë në klasifikimin e përgjithshëm.

Top Channel