Kreu i ri i UEFA-s, Van Prag favorit

19/05/2016 00:00

Pasardhësi i Mishel Platini në fronin e futbollit europian do të zgjidhet më 14 shtator, me veteranin holandez, Mikael Van Prag si favoritin kryesor sipas sondazheve.

Ashtu siç pritej, UEFA zyrtarizoi datën e procesit të votimit në një kongres të jashtëzakonshëm pas muajve të verës, pasi do të zgjedhë presidentin e ri deri në mars të vitit 2019, kohë kur përfundon edhe mandati që “Le Roi” la në mes për shkak të dënimit kontrovers.

Qeveria e futbollit kontinental është pa një president që prej muajit tetor kur FIFA pezulloi Platini për një pagesë të dyshimtë, dhe mesi i shtatorit konsiderohet periudha më e mirë zgjedhore.

Kjo do t’i japë mundësi kandidatëve potencialë që të shpalosin platformat e tyre dhe të bëjnë një fushatë të denjë për postin që aspirojnë.
 
Holandezi Mikael Van Prag, i cili drejton prej vitesh federatën e tulipanëve, ishte një kandidat për FIFA-n para se të braktiste garën. Por tashmë në moshën 68-vjeçare, ai do të kërkojë të ngrejë pretendimet në një stad të ri.
 
Kandidatë të tjerë që përfliten për UEFA-n, janë spanjolli Angel Villar Llona, ish-bomberi i kombëtares kroate dhe Realit të Madridit, Davor Suker, dhe kreu i federatës sllovene, Aleksander Ceferin.

Top Channel