Festa e kampionëve në Korçë, mijëra tifozë në stadium. Shkëmbi mbyll karrierën

19/05/2016 00:00

Mijëra tifozë mbushën shkallët e stadiumit të Korçës për të festuar titullin e 6 kampion radhazi të Skënderbeut në futbollin shqiptar, të 7-in në historinë e klubit bardhekuq.

Në një ceremoni ku ishin të pranishëm shumë personalitete të klubit vendas dhe drejtues të FSHF-së, lojtarët u ngjitën në podium për t’u nderuar me medaljen artë të Kategorisë Superiore.

Përshëndetje e veçantë iu rezervua kapitenit Blendi Shkëmbi, që në këtë sezon i dha lamtumirën futbollit në mënyrën më të mirë, me titullin e 6 të fituar me Skënderbeun, ndërsa u nderua gjithashtu edhe bomberi Hamdi Salihi me “Këpucën e Artë”, si golashënuesi më i mirë.

Skënderbeu mori në duar trofeun e merituar në fundin e një sezoni, që u vendos vetëm në javën e fundit të tij, pas fitores 2-0 në Vlorë përballë Flamurtarit.

Verdikti i vetëm që mbetet për t’u përcaktuar këtë sezon është fituesi i Kupës së Shqipërisë. Triumfuesi i këtij trofeu ndikon edhe në përcaktimin se cila do të jetë skuadra e tretë që do të shoqërojë Partizanin dhe Kukësin në Ligën e Europës.

Nëse Kupa fitohet nga Kukësi, atëherë biletën për në Europë e siguron Teuta, e cila renditet e katërta në klasifikim, me pikë të barabarta me Kukësin e vendit të tretë. Ndërsa Laçi mund të shkojë në Europë vetëm në rast se fiton Kupën e Shqipërisë, në sfidën që do të luhet të dielën në orën 19:00.

Top Channel