Bëhet zyrtare, Meha transferohet te Al Nasr

19/05/2016 00:00

Pas një sezoni të shkëlqyer me Konyaspor-in, Alban Meha i jep lamtumirën Turqisë dhe duket se ka zyrtarizuar kalimin në Arabinë Saudite te Al Nasr.

Lajmi është bërë i ditur menjëherë pas përfundimit të ndeshjes që Konyaspor luajti ndaj Beshiktashit, e cila ka qenë e fundit për shqiptarin në kampionatin turk.

Edhe pse i ishte rinovuar automatikisht kontrata edhe për një tjetër sezon me skuadrën e Superligës turke, Meha zgjodhi të largohej nga qyteti i Konyas pasi u bind nga oferta shumë më e mirë në aspektin financiar që i propozoi klubi nga Riyadi.

Në vetëm një sezon Meha arriti të fitonte zemrat e tifozëve të Konyasporit dhe kjo u dallua qartë në fitoren 2-1 ndaj kampionëve të saposhpallur të Beshiktashit. Në minutën 61 të sfidës së vlefshme për javën e fundit të kampionatit turk, 30-vjecari shqipëtar la fushën e lojës dhe në këtë moment të gjitha duartrokitjet ishin për Alban Mehën i cili u përshëndet në mënyrën më të mirë nga tifozët e Konyasporit, shokët e skuadrës dhe stafi teknik, për atë cfarë dha me këtë ekip.

Mediat turke zbuluan gjithashtu se ish lojtari i Paderbornit në Bundesligën gjermane e ka hedhur tashmë firmën mbi kontratë për klubin nga Arabia Saudite. Kartoni i Mehës mësohet i ka kushtuar drejtuesve të Al Nasr rreth 1 milionë Euro, ndërkohë që futbollisti shqipëtar nga marrëveshja e re që ka firmosur do të përfitojë një shumë tre herë më të lartë se ajo që merrte te Konyaspori, mbi 1 milionë Euro në sezon.

Top Channel