Cilësia ushqimore, analizat edhe në laboratorë jashtë vendit

18/05/2016 20:20

Për të kontrolluar saktësinë e analizave të ushqimeve që kryhen nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Ministria e Bujqësisë do të bëjë kryqëzimin e rezultateve me institutet e referencës në Itali dhe Francë.

Ministri Panariti thotë se kryerja e analizave në këto institute do të bëhet për herë të parë në mënyrë sistematike, një herë në muaj. Deri më tani, analizat në institutet europiane kryheshin sa herë vendet importuese, si në rastin e Maqedonisë, shfaqnin pretendime mbi cilësinë e prodhimeve shqiptare.

“Sot do të çoj në institutin e referencës mostra të perimeve të freskëta. Pavarësisht analizave që janë kryer nga ISUV, kjo bëhet në të gjithë laboratorët europianë që qarkullojnë mostrat”, deklaroi Panariti.

Ministri i Bujqësisë tha se kjo do të rrisë sigurinë e produkteve shqiptare, ndonëse, siç u shpreh ai, vendi aktualisht eksporton në mbi 20 vende të botës, shumica prej të cilave pjesë e Bashkimit Europian dhe me asnjë prej tyre nuk ka patur probleme sa i përket cilësisë.

Top Channel