Nesër vendoset kampioni. Partizani me sytë nga Vlora

17/05/2016 00:00

Superliga është futur në fazën e saj finale, pasi të mërkurën do të mësohet kampioni i Shqipërisë, skuadrat që do të marrin pjesë në Europë dhe ajo që do të bjerë bashkë me Tërbunin një kategori më poshtë.

Partizani, i cili këtë sezon është më afër se kurrë titullit që i mungon prej 23 vjetësh, një vesh do ta ketë në Vlorë.

“Duhet të kemi mendjen te ndeshja jonë. Titulli nuk është në dorën tonë. Ne kemi besim te ndershmëria dhe krenaria e Flamurtarit. Kush ta fitojë, e meriton këtë kampionat”, tha Dritan Dervishi, drejtori i Partizanit.

Kundërpërgjigjja ka ardhur nëpërmjet drejtorit të klubit vlonjat, Ardi Behari: “Ne mendojmë për fatin tonë në radhë të parë. Nuk kemi mundësi për të vendosur fatet e kampionatit.

Teuta do të jetë kundërshtari i të kuqve të mërkurën, një skuadër që kërkon të justifikojë investimet dhe mundin e gjithë sezonit. Trajneri Gugash Magani u shpreh: “Maksimumi jepet në çdo ndeshje. Karakter ka ai lojtar që edhe në një ndeshje kalçeto jep maksimumin”.

Ndërsa portieri i durrsakëve, Shpëtim Moçka, theksoi: “Ne duhet të bëjmë takimin tonë. Çdo skuadër ka objektivat e veta dhe Teuta luan për kupat e Europës”.

Top Channel