Operacione e vizita me “normë”

16/05/2016 00:00

Pagesa e mjekut sipas volumit të punës dhe jo më me pagë fikse, të cilën e deklaroi kryeministri duket se i ndan mjekët në disa këndvështrime.

Ka optimistë që e shikojne si të vetmen mundësi për të luftuar paratë nën dorë dhe për të shpërblyer mjekun sipas punës, por dhe duke e stimuluar atë në mënyrë që të mos vrapojë drejt spitaleve private apo të trafikojë pacientët për shkak të përqindjes që merr në shërbimin privat.

Shefi i shërbimit  të kirurgjisë, Arben Gjata shpjegon se kështu u jepet mundësi edhe mjekëve të rinj që nën asistencën e profesionistëve të mund të përballen me rastet. Tanimë, kur planifikimet janë online, shefi i shërbimit bën shpërndarjen e tyre duke eleminuar radhët e gjata të pacientëve dhe duke rritur cilësinë e shërbimit ndaj tyre.

“Është i detyruar që t’i bëjë të gjithë mjekët që të punojnë, ka të bëjë me përgatitjen e stafit më të ri, që kërkon bashkëpunim mes mjekëve më të rinj dhe atyre më të vjetër për të kryer procedura të ndryshme”, thotë mjeku Gjata.

Por të tjerë mjekë janë skeptikë pasi druhen se shefat e shërbimit do të monopolizojnë numrin e ndërhyrjeve.

“Nëse do të futet një praktikë e tillë, do të thellohet kjoskëzimi i QSUT-së, mjekët e rinj që kërkojnë të veprojnë do të lihen në hije”, deklaron mjeku Tritan Kalo.
 
Në rastin kur pacienti kërkon të zgjedhë mjekun apo kirurgun, atëherë i duhet të paguajë kundrejt faturës diçka më shumë, e cila më pas ndahet ndërmjet mjekut dhe spitalit.
 
“Nëse pacientët dëshirojnë të zgjedhin mjekun, duhet të kenë ose siguracion shtesë, siç funksionon në Perëndim, ose ka raste të tjera që paguhen cash në llogarinë e spitalit.

Ndonëse kjo ide mirëpritet nga shumë mjekë, sipas tyre kërkon shumë punë pasi duhet ndërruar i gjithë sistemi i pagave të mjekëve.  

Top Channel