Meta në SHBA: Bujqësia shqiptare, potenciale të mëdha

16/05/2016 13:50

Në vijim të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, kryetari i Kuvendit Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Departamentin e Bujqësisë dhe Ushqimit, ku u prit nga shefi i seksionit të Shërbimit të Jashtëm, Philip Karsting.

Gjatë takimit, Meta vuri në dukje se bujqësia në Shqipëri po njeh zhvillime pozitive, ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen që SHBA po i japin këtij sektori në vendin tonë.

“Ne po punojmë për rritjen e gamës së produkteve bujqësore ‘Made in Albania’, pasi bujqësia është një prioritet i veçantë për qeverinë shqiptare dhe në këtë drejtim çmojmë mbështetjen e USDA dhe të agjencive të tjera amerikane”, deklaroi Meta.

Nga ana tjetër, zoti Karsting garantoi mbështetjen e institucioneve amerikane për standardet e produkteve shqiptare dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese në vendin tonë.

Më pas, kreu i Kuvendit zhvilloi një takim me kongresmenin Robert Aderholt, kryetar i nënkomisionit të bujqësisë. Gjatë takimit, Meta u shpreh se, projektet e bujqësisë shqiptare meritojnë një mbështetje dhe vëmendje më të madhe, duke pasur parasysh potencialet e saj.

Gjithashtu, Meta vlerësoi se, përmirësimi i procesit të sterilizimit, përpunimit dhe përgatitjes së bimëve medicinale do të rrisin kapacitetet eksportuese të Shqipërisë në tregun amerikan.

Ndër të tjera, kreu i Kuvendit i kërkoi bashkëbiseduesit mbështetje për heqjen e taksimit të dyfishtë dhe njohjen e kontributeve shoqërore të shtetasve respektivë që punojnë në dy vendet.

Nga ana e tij, zoti Aderholt konfirmoi angazhimin e tij për të ndjekur nga afër forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, me qëllim rritjen e fluksit të shkëmbimeve dypalëshe në fushën e bujqësisë.

Top Channel