Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare, projektligji për buxhetin shqyrtohet të hënën
Deputetë të Parlamentit Europian, të kryesuar nga eurodeputeti Tonino Picula, kanë qëndruar të hënën në Prishtinë, ku janë takuar me deputetët kosovarë të Komisionit parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, eurodeputetët janë pritur në takime të veçanta nga krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës, ndërsa pasdite kanë zhvilluar mbledhjen e parë të përbashkët me deputetët kosovarë, për të parë axhendën e përbashkët të punës për zbatimin e MSA-së.
Në fillim të seancës së përbashkët, që u mbajt në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, kryeaparlamentari kosovar Kadri Veseli falënderoi Parlamentin Europian për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, në hapat e saj drejt integrimit europian.
Veseli i siguroi deputetët e PE-së se, Kosova do të zbatojë me përpikmëri të gjitha kriteret e kërkuara, ndërsa u shpreh optimist se gjatë kësaj legjislature, Kosova do të ketë mundësi të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Edhe kryesuesi i delegacionit të eurodeputetëve, Tonino Picula u shpreh i bindur se, Kosova do të mund të përmbushë kriteret dhe të përfitojë shumë nga zbatimi i MSA-së, ndërsa i siguroi deputetët kosovarë për bashkëpunim dhe ndihmë në të gjitha fushat e nevojshme për të cilat kanë nevojë institucionet e Kosovës.
Për të përmbyllur punimet e këtij takimi, të martën vjen në Prishtinë Komisionieri për Zgjerimin, Johannes Hahn, i cili do të takohet edhe më krerët e shtetit e udhëheqësit e opozitës.
Top Channel